Përbërja: Mëllagë të bardhe, lule bliri, rigon, lule netulle, thundërmushke, lulekuqe, etj.
Vetitë kuruese: Rrënjët dhe gjethet e mëllagës së bardhë mbajnë substanca mucilagjinoze (jargëzuese) të cilat zbusin dhe qetësojnë kollën. Thundërmushka në saj të esencës dhe të fitoncideve që ka, qetëson kollën dhe lehtëson nxjerrjen e gëlbazës. Lulet e netullës përmbajnë po ashtu lëndë jargëzuese flavonide, esencë, sheqerna e saponinë dhe këshillohen si një mjet zbutës dhe ekspektorant në kollën e zakonshme, në kollën e bardhë dhe në pezmatimet e bronkeve. Lulëkuqja ka veti qetësuese në tërë sistemin e frymëmarrjes, qetëson kollën dhe mënjanon ngacmimin e saj. Rigoni ndihmon nxjerrjen e gëlbazës si dhe mjekon rrugët e frymëmarrjes.
Përgatitja: Një lugë gjelle nga përzierja hidhet në një xhezve ku shtohet ujë i ftohtë (masa e ujit afërsisht 200 ml) e me pas vihet të ziejë ngadalë deri sa vlon. Hiqet nga zjarri, mbulohet dhe lihet në qetësi për 10 minuta. Kullohet dhe pihet i ëmbëlsuar me mjaltë ose sheqer sipas dëshirës e mund të merren 2-3 çaj në ditë.